Menaxheri i përgjithshëm i Crvena Zvezdës, Zvezdan Terzic thotë se vendimin për të mos e lejuar klubin serb të futet në territorin e shtetit tonë e ka marrë Qeveria e Republikës së Kosovës. Ndërkohë, ai insiston se kjo është një fitore diplomatike për Serbinë, Federatën Serbe të Futbollit dhe për vetë klubin serb

Zvezdan Terzic, menaxher i përgjithshëm i Crvena Zvezdës e ka komentuar moslejimin e ekipit serb për t’u futur në territorin e Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Drejtuesi i klubit serb ka thënë se këtë vendim e ka marrë Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, ai insiston se kjo është një fitore diplomatike për Serbinë, por edhe për Federatën e Futbollit të Serbisë dhe për vetë Crvena Zvezdën.

“Ju e patë atë që ndodhi, ne erdhëm këtu për të luajtur futboll. Sidoqoftë, ne na u lejua kjo, edhe pse e kishim rekomandimin e FIFA-s. Institucionet e Kosovës e kanë shurdhuar veten dhe nuk na lejuan të luanim. Në kufi më thanë se ishte një vendim i Qeverisë së Kosovës dhe se nuk kishin shpjegime të tjera”, u shpreh Terzic për mediat serbe.

Ai shpjegon se Crvena Zvezda po planifikonte t’i bënte të lumtur serbët e Kosovës në ndeshjen e së 16-ës së finales së Kupës së Serbisë në futboll.

“Na vjen keq. Ndeshja me gjasë do të zhvillohet nesër, diku në Beograd. Institucionet e Kosovës edhe një herë demonstruar se bëjnë gënjeshtra dhe farse. Asgjë nuk kishte të bënte me shpirtin e ‘fair-play’. Në anën tjetër, jam krenar me tifozët tanë, ata treguan edhe një herë korrektësi”, ka shtuar Terzic.

“Ishte punë dhe detyrë e jona të vinim këtu dhe të provonim të luanim. Ne e kishim rekomandimin e FIFA-s, nuk kemi kërkuar asgjë të pazakontë, nuk ka asnjë arsye se përse kjo ndeshje të mos zhvillohej në Zveçan. Kjo është një fitore diplomatike për Serbinë, për Federatën Serbe të Futbollit dhe për Crvena Zvezdën”, ka përfunduar ai.

Loading...