E njohur si mbështetëse e opozitës shqiptare , Presidentja e EPP Women Doris Pack, vetëm tre ditë pasi BE i tha ‘JO’ hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka bërë thirrje që vendi ynë të zbatojë kushtet e vendosura nga Bundestagu.

Ketë deklaratë Pack e ka bërë në takimin në Vjenë të Forumit të e Grave të Partisë Popullore Evropiane, ku e pranishme si përfaqësuese e PD, ishte Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi.

“Shqipëria duhet të nisë më zbatimin e kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman për t’u bërë gati për hapjen e negociatave” ka thënë Pack.
Doris Pack, e keqardhur për vendimin për mos hapjen e negociatave, mbështeti nisjen e bisedimeve me kushte për Shqipërinë , duke e konsideruar këtë si një vendim jo për qeverinë, por për qytetarët e saj.

“Opozita i dorëzoi mandatet, pasi nuk kishte më asnjë garanci kushtetuese. Në parlament nuk respektohej e drejta e fjalës dhe mekanizmi parlamentar për kontrollin e qeverisë, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk ekziston. Korrupsioni i lartë dhe krimi i organizuar janë probleme shqetësuese. Një ish ministër i brendshëm u dënua nga një gjykatë. Ndërkohë që në qendër të Tiranës protestohet prej shumë muajsh në mbrojtje të Teatrit Kombëtar të cilin qeveria po kërkon ta shembë për të ngritur kulla të larta vetem pë qëllime fitimi. Shqipëria duhet të nisë përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bundestagu, përsa i përket luftës kundër korrupsionit, vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të luftojë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës” ka thënë ndër të tjera Pack.

Duke shprehur shqetësimin për numrin e lartë të azilantëve, Doris Pack i kërkoi Bashkimit Evropian të rrisë presionin ndaj Shqipërisë: “Në këtë mënyrë qeveria do të detyrohet të plotësojë kushtet dhe të hapë perspektiva për shqiptarët në Shqipëri, duke bërë që edhe numri i azilantëve të zvogëlohet”- tha Pack më pas.

Bashkë me zëvendës Presidenten e Parlamentit Evropian, Mairead McGuiness, me zëvendës Presidenten e re të Komisionit Europian, Dubravka Šuica dhe , komisionerien Mariya Gabriel, Pack, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të mbajë derën e hapur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nga ana e saj, Kryetarja e LDGSH, Albana Vokshi, informoi Forumin e Grave të Partisë Popullore Evropiane se PD i konsideron kushtet e Bundestagut si një udhërrëfyes për zgjidhjen e krizës politike, për rivendosjen e bazave të shtetit të së drejtës dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Loading...
Global