Pasi e mposhti Manchester Unitedin me rezultat 1:0 në xhiron paraprake, Newcastle United i krijoi vështirësi edhe Chelseat, mirëpo në fund u mposht me rezultat 1:0 në “Stamford Bridge”, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tetë të Premierligës.

Skuadra e Frank Lampard e dominoi ndeshjen e
sotshme kundër Newcastle, duke e pasur 72 për qind të posedimit të topit dhe
duke i bërë tetë goditje brenda kuadratit të portës kundërshtare, përderisa mysafirët
s’e rrezikuan asnjëherë portën e Chelseat, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, ky dominim i Chelsea s’u përkthye edhe
në rezultatin e ndeshjes, pasi që londinezët arritën të sigurojë vetëm fitore
me epërsi minimale 1:0, falë golit të shënuar nga Marcos Alonso e të asistuar
nga Callum Hudson-Odoi në minutën e 73-të të ndeshjes.

Trajneri Steve Bruce do të ketë qenë i kënaqur
me paraqitjen e Newcastle gjatë pjesës së parë, pasi që skuadra e tij e vazhdoi
formën e shfaqur në fitoren kundër Manchester Unitedit, duke qenë solidë në
mbrojtje dhe duke krijuar rrezik në fazën e sulmit me Allan Saint-Maximin dhe
Miguel Almiron.

Megjithatë, Chelsea krijoi raste të mira për të
shënuar, vetëm njërën prej të cilave e shfrytëzuan.  Djemtë e Lampardit nuk ishin shumë të saktë në
fazën e sulmit para portës, megjithatë ata arritën t’i marrin tri pikët e
ndeshjes.

Tani, Chelsea radhitet në pozitën e tretë në tabelën
e Premierligës, pozitë kjo që mund të ndryshojë pasi të zhvillohen edhe
ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje, me 17 pikë të fituara nga nëntë  ndeshjet e para – pesë fitore, dy barazimi
dhe dy humbje.

Kjo ishte fitorja e katërt radhazi për
londinezët dhe ata do të shpresojnë ta vazhdojnë këtë ecuri të mirë edhe në
mesjave, kur do të përballen me Ajaxin në kuadër të Grupit H të Ligës së
Kampionëve.