Në konferencën për mediat që zhvilloi në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj u pyet për ngjarjen e fundit në Maqedoninë e Veriut, ku sot kryeministri Zaev tha se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të dështimit të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Por këtë qëndrim të Zaevit është përpjekur ta përgënjeshtrojë ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Cakaj, i cili theksoi se diskutimet për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut janë të hershme dhe nuk lidhen me vendimin e Këshillit Evropian. “Diskutimi për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut është më i hershëm se dje. Nuk mund t’i ndërlidhni proceset. Ky diskutim nuk ka ardhur si pasojë e vendimit të Këshillit”, theksoi Cakaj përpara gazetarëve. Cakaj deklaroi gjithashtu se “në Maqedoninë e Veriut ka patur zotime se ky proces (hapja e negociatave) do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme”, ndërsa Qeveria shqiptare nuk dha garanci për procesin.