Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të marrin datë për negociata. Do të bëhej gabim historik nëse nuk i lejojmë t’i fillojnë negociatat. Kjo do të ishte goditje e madhe për popujt e të dyja shteteve të cilat meritojnë t’u jepet perspektivë evropiane, deklaroi sot kryeministri bullgar Bojko Borisov para fillimit të takimit të liderëve të BE-së ku duhet të debatohet edhe për zgjerimin e Unionit.

“Nëse bëhet një gabim i tillë atëherë nuk duhet të zemërohemi për problemet që do të ndodhë – që do të ketë xhihadistë, ndikime nga Rusia, Turqia apo Kina. Ky vakum nuk mund të vazhdojë dhe do të mbushet nga ndonjë tjetër dhe kjo nuk është mirë për Bullgarinë”, theksoi kryetari i Qeverisë bullgare.

Borisov tha se nuk mund t’i kuptojë pohimet se ekzistojnë rreziqe nga inkuadrimi i të dyja vendeve.

“Maqedonia e Veriut sipas popullatës dhe territorit është sa Sofja dhe çfarë rreziku mund të jetë? Ky është si një qytet i vogël evropian dhe nuk është në rregull ta tregojmë karakterin kundër atyre. Nuk pajtohem me këtë. Por, shumë nga shtetet e mëdha evropiane kanë probleme të brendshme dhe më lehtë është të gjesh armik të jashtëm kujt do t’ia hedhësh fajin”, deklaroi Bojko Borisov.