Mospërcaktimi i datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në takimin e djeshëm të shefave të diplomacive të anëtareve të Unionit nuk paraqet vendim negativ, deklaroi ministrja franceze për Çështje Evropiane Ameli de Monshallan.

Siç informon korrespondenti i MEDIAL-s, Monshallan theksoi se Parisi kërkon zbatimin e të gjitha kushteve për fillimin e negociatave të përcaktuara para 18 muajve, duke shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane.

Qëndrimi i tillë, sipas saj, do të thuhet edhe më qartë në përfundimet në Samitin e ardhshëm të BE-së, edhe pse vendet anëtare të Unionit kanë qasje të ndryshme rreth zgjerimit.

“Franca ka pozicionin që thotë se kriteret e përcaktuara në vitin 2018 duhet të përmbushen tërësisht nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Një pjesë e reformave tashmë ishin vendosur në binarë, por nuk janë realizuar tërësisht”, theksoi Monshallan.

Ajo më tutje pranon se ka vende të cilat vlerësojnë se Maqedonia dhe Shqipëria duhet të shqyrtohen ndaras, derisa të tjerë kundërshtojnë këtë.

” Në fakt, kemi diskutime të cilat nuk ishin 25 shtete kundër dy ose 26 kundër 1. Ato ishin diskutime të vështira për prioritetet e njërit dhe tjetrit. Një është e sigurt se ekziston unitet për perspektivën evropiane, pastaj është e sigurt se ka nevojë nga reformat në të dyja vendet që të përmbushen kushtet nga viti 2018. Dëshiroj të them qartë se Franca, Holanda ose vendet e tjera nuk kërkuan reforma dhe kushte të tjera. Ne dëshirojmë që kriteret e përcaktuara para 18 muajve të zbatohen në vepër. Diskutimi do të vazhdojë mes shefave të shteteve ose qeverive dhe mendoj se Këshilli pastaj do të sjellë vendim dhe do të pajtohen ose do të japin instruksione të mëtutjeshme”, theksoi Monshallan.

Ajo thekson se nevojiten reforma në procesin e negocimit, duke shtuar se Franca e mbron pozicionin e kredibilitetit të porosisë evropiane.

Sipas saj, duhet të përcaktohen kriteret e qarta dhe ato duhet të respektohen, me qëllim që qytetarët të ndjejnë mirëqenien dhe të pengohet largimi i mendjeve. Si shembull ajo e thekson Prokurorinë Speciale Publike.

“Ajo reformë duhet të shkojë deri në fund. Nuk duhet të shihet se Franca ka pozicion të fuqishëm, duhet të zbatohet ajo reformë dhe atëherë të mendojmë për hapjen e negociatave”, bëri të ditur ministrja franceze për Çështje Evropiane.

Monshallan foli edhe për takimin e djeshëm të presidentit francez Emanuel Makron dhe kancelares gjermane Angela Merkel në Tulluz, me çka thekson se Evropës i nevojitet uniteti i Francës dhe Gjermanisë.

Në takimin pritet që të bisedohet për Bregzitin, luftën në Siri dhe kuptohet për çështjen e zgjerimit të BE-së, për të cilën Pallati i Eliseut pranon se Berlini dhe Parisi janë në pozicionin e njëjtë

Loading...