Partia Alternativa sot e promovoi publikimin e platformës së re politike me titull “Vatra jonë – Alternativa jonë”, për parandalimin e shpërnguljes.

Alternativa konsideron se në kohën kur procesi i integrimit të vendit ka marrë rrugë të mbarë dhe është një shteg që nuk ka prapakthim, tashmë nuk është vështirë të konstatohet se, përkundër problemeve të pambyllura politike, në kuptim të marrëdhënieve ndëretnike, por edhe korrupsionit të lartë, si edhe mungesës së shtetit ligjor, problemi më i madh i Maqedonisë së Veriut e, rrjedhimisht, edhe i shqiptarëve këtu, është shpërngulja masovike e të rinjve dhe zbrazja e vendbanimeve.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, theksoi se e kanë përgatirur një dokument, ku i ka identifikuar arsyet që e shkaktojnë migrimin, por edhe masat që duhet të ndërmerren për parandalimin e tij.

“Ideja e subjektit tonë është që kjo fushatë të realizohet në tri faza. Në fazën e parë do të bëhet aksioni për ndërgjegjësim kundër migrimit, por edhe komunikimi me qytetarët për t’i dëgjuar drejtpërdrejt nga ata arsyet e kësaj dukurie dhe propozimet e tyre për parandalimin e shpërnguljes. Faza e dytë do të përfshijë tribuna, panele dhe debate me ekspertë të fushave të ndryshme, ku do të diskutohen arsyet e migrimit dhe masat për parandalimin e tij. Në fazën e fundit, pasi të përmblidhen të gjitha të dhënat e dy fazave të mësipërme, Alternativa do t’ia propozojë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut një “Strategji shtetërore për parandalimin e shpërnguljes së popullsisë”, e cila pasi të miratohet, do të fillojë me implementimin e masave të propozuara.