Achraf Hakimi i ka paralajmëruar Barcelonën dhe Interin se duhet t’ia kenë frikën Borussia Dortmundit, i cili do të luftojë për ta kaluar grupin në Ligën e Kampionëve duke e lënë njërën prej tyre jashtë.

Hakimi ka shkëlqyer për Dortmundin që prej se iu bashkua klubit gjerman si lojtar i huazuar nga Real Madridi dhe, edhe pse nuk do ta mendonte dy herë kthimin në klubin amë, ai parapëlqen të qëndrojë me këmbë në tokë, transmeton Gazeta Express.

Mbrojtësi i krahut të djathtë foli për të përditshmes spanjolle “MARCA”, para ndeshjes së Dortmundit kundër Barcelonës në Champions, të martën mbrëma në Grupin F.

I pyetur nëse ky është grupi i vdekjes, ai e pranoi se do të jetë grup shumë i vështirë, por paralajmëroi se Dortmundi është këtu për të luftuar.

“Ne do të përballemi me ekipe të mëdha, por edhe ne jemi vetvetja dhe mendoj se klubet e tjera duhet të na e kenë frikën. Ne po luajmë mirë dhe po kalojmë nëpër një periudhë shumë të mirë. Nuk e di nëse ky është grupi i vdekjes, por ne e dimë se është grup i vështirë dhe na duhet ta luftojmë për ta kaluar atë”, tha Hakimi.

Loading...