Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi sot u takua me ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Holandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Dirk Jan Kop, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve, veçanërisht në planin e eurointegrimeve, si edhe qëndrimi i Mbretërisë së Holandës në drejtim të përpjekjeve dhe angazhimeve tona për të fituar datë për fillimin e negociatave me BE në tetor, muajin e ardhshëm.

Xhaferi, siç informoi kabineti i tij, theksoi se, gjithë ajo që ishte kyçe dhe që u kërkua prej nesh nga ana e institucioneve të BE-së e kemi përfunduar, respektivisht kemi mbyllur çështje të mëdha dhe dhamë kontribut serioz në stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin, dhe në këtë drejtim presim kjo të pranohet dhe të verifikohet nga ana e Këshillit të Evropës në tetor.

Me këtë rast, Xhaferi konfirmoi se Kuvendi do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme të jetë institucion i hapur dhe transparent, do të vazhdojë bashkëpunimi me opozitën dhe ai, edhe në të ardhme, si Kryetar i dhomës ligjvënëse, do të vazhdojë të jetë neutral në raport me relacionet politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, për çka ka mbështetje të fuqishme.

Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, nënvizoi se si ambasador, gjatë mandatit të tij do të tentojë të ndihmojë në intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar, si edhe të bashkëpunimit ekonomik me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në lidhje me çështjen e mbështetjes nga Holanda për vendin tonë për marrjen e datës për fillimin negociatave, ambasadori theksoi se “Holanda i çmon gjithmonë përpjekjet individuale të vendeve kandidate, më shumë sesa çështjet dhe politikat gjeo-strategjike, dhe në këtë drejtim, pozicioni jonë është mjaft i volitshëm për ju dhe unë jam optimist për këtë çështje“.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi dhe komunikimi ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ambasadës së Holandës do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme me dinamikë intensive. (MIA)

Loading...