Thellimi i bashkëpunimit të suksesshëm midis Kuvendit të Republikës të Maqedonisë së Veriut dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, ishte tema e takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së George Cereteli të realizuar në suaza të Mbledhjes së katërt të kryetarëve të parlamenteve nga vendet e Euroazisë me temën “Euroazia e Madhe: Dialog. Besim, Partneritet”, që mbahet sot dhe nesër në Nur-Sulltan, Republika e Kazakistanit.

Siç kumtuan nga pres shërbimi kuvendor, në takimin në të cilin ka marrë pjesë edhe Enes Ibrahim, deputet në Kuvendin e Republikës të Maqedonisë së Veriut dhe Paskal Alizar, nënkryetar në AP të OSBE-së dhe senator nga Franca, Xhaferi theksoi se , në vendin tonë lartë vlerësohet roli i OSBE-së në zhvillimin e proceseve demokratike të vendit. Veçanërisht, aktivitetet e Misionit të OSBE-së në Shkup, të cilat, siç ka potencuar, ngushtë bashkëpunojnë me Kuvendin, me qëllim të përforcimit të pavarësisë parlamentare, funksionit mbikqyrës dhe rolit demokratik, si dhe përparimi i barazisë gjinore.

Xhaferi u kthye, shtohet, edhe në perspektivat e proceseve eurointegruese të Maqedonisë së Veriut dhe zbatimin e reformave themelore në shumë fusha strategjike, në të cilat Kuvendi luan rol të rëndësishëm.

Kryetari i AP të OSBE-së, Cereteli, sërish potencohet, dërgoi urime për vendimet e guximshme dhe reformat që i zbatoi Republika e Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se shumë vende në shtet shohin shembull pozitiv për zgjidhje të suksesshme të konflikteve në pajtim me parimet e aktit final të Helsinkut të OSBE-së. Ai vlerësoi se, anëtarësimi i vendit tonë në NATO dhe fillimi i negociatave inkuadruese me BE-në do të kontribuojnë për stabilitet të tërësishëm dhe prosperitet të shtetit dhe rajonit.

Kryetari Cereteli ka informuar për aktivitetet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe vlerësoi se, të gjitha vendet pjesëmarrëse në OSBE duhet të punojnë në plotësimin e përpjekjeve të Organizatës, me ç’rast e theksoi rolin e parlamentarëve në këtë plan. Cereteli u kthye në mekanizmat e ndryshëm të AP-së të OSBE-së dhe në rolin e përfaqësuesve special duke paralajmëruar se, i dërguari special për Evropën Juglindore Mark Priçard, në kohën më të shkurtër do ta vizitojë Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në takim është biseduar edhe për aktivitetet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe OSBE/ODIHR për vëzhgim të cikleve zgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast ishte shprehur gatishmëri për zbatim të tërësishëm të rekomandimeve për përmirësim të procedurave zgjedhore.

Në fund të takimit, kryetarët Xhaferi dhe Cereteli u pajtuan se bashkëpunimi i frytshëm mes Kuvendit të Republikës të Maqedonisë së Veriut dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, qëndron në kumtesë.