Një tifoze iraniane e futbollit ka vdekur një javë pasi ia vuri flakën vetes pranë një gjykate pasi kishte kuptuar se mund të dënohet me gjashtë muaj burgim për shkak të përpjekjes për të hyrë në stadium.

Vdekja e tifozes Sahar Khodayari nxiti reagime të shumta në Iran, ku gratë nuk kanë të drejtë të futen në stadiume të futbollit, ndonëse kanë mundësi të përcjellin sporte të tjera, siç është volejbolli.

Khodayari, 30 vjeçe, vdiq në një spital në Tehran. Lajmin e bëri të ditur agjencia e lajmeve “Shafaghna”. Tifozja njihej edhe me nofkën “Vajza e kaltër” në rrjetet sociale për shkak të ngjyrave të klubit të saj të preferuar, Esteghlal.

Raportohet se gruaja ishte përpjekur të hyjë në stadium duke qenë e veshur si burrë me një parukë të kaltër dhe pallto të gjatë kur policia e kishte ndaluar atë.

Ajo ishte mbajtur në burg për tri ditë, para se të lirohej për ta pritur në shtëpi vendimin e ardhshëm të gjykatës.

Ndryshe, klubi i futbollit, Esteghlal, e ka lëshuar një deklaratë me të cilën i shpreh ngushëllime familjes së tifozes.

Ish-mesfushori i Bayernit, Ali Karimi, i cili i ka zhvilluar 127 ndeshje për Iranin, ka bërë thirrje për bojkotim të stadiumeve në shenjë proteste për vdekjen e tifozes, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Loading...