Pasi që Bundestagu gjerman paralajmëroi se do të japë dritë jeshile për fillimin e negociatave aderuese me BE-në, ende nuk dihet si do të prononcohet Franca për dhënien e datës. Ambasadori francez, Kristijan Timonie për TV21 tha se ende nuk është sjellë vendim përfundimtarë, por theksoi se fillimi eventual i negociatave do të thotë hapë përpara për Maqedoninë e Veriut.

“Qëndrimi i Francës ende po definohet. Paraprakisht kishte bisedime të rëndësishme gjatë vizitës së ministrit të punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov në Paris dhe u morën parasysh të gjitha argumentet pozitive të cilët i tregoi ai në fillimin e negociatave dhe ne i treguam mendimet tona, veçanërisht mendimet pozitive që kanë të bëjnë me progresin e bërë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës”, deklaroi ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Kristian Timonie.

Sipas Timonie transferimi i lëndëve të PPS-së në Prokurorinë Publike ka domethënie të madhe për avancimin e sundimit të së drejtës për shkak se, siç theksoi ai, proceset gjyqësore për këto raste duhet të vazhdojnë. Ai gjithashtu tha se me rëndësi të madhe për sundimin e së drejtës është që rasti Reket të marrë epilog.

“Është e vështirë kur në nivel global bisedohet për sundimin e së drejtës, të mos përmendet edhe ky rast për të cilin do të theksojmë se dëshirojmë të shqyrtohet në mënyrë serioze dhe reale dhe t’i jepet fund mos-dënimit te të dyja palët  kur flasim për elitën politike”, theksoi Kristian Timonie, ambasador i Francës në Maqedoninë e Veriut..

Ambasadori Timonie tha se gjatë vendosjes për Maqedoninë dhe Shqipërinë, ata nuk do të shqyrtohen si pako por, siç tha, do të merren parasysh meritat e secilit vend individualisht. Megjithatë, shtoi ai, dimensioni rajonal i Ballkanit Perëndimor ka rol kyç në vizionin global për të ardhmen e BE-së, por se progresi individual i secilit vend do të vlerësohet ndaras. Përndryshe Bundestagu gjerman paralajmëroi se nesër edhe zyrtarisht do të japë dritë jeshile për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërsa në seancë me ftesë të presidentit gjerman, Vollfgang Shojbe, do të marrë pjesë edhe zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. Mbështetje të fuqishme për marrje të datës për negociata arriti edhe nga ministrat e punëve të jashtme, të Bullgarisë, Ekatarina Zahariev, Greqisë Nikos Dendias, Rumanisë Tomina Ramona Manesku dhe Kroacisë Gordan Gurilliq, gjatë kohës së sesionit të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.