Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit zyrtarisht do të fillojë pasnesër më 25 shtator dhe do të zgjas 10 ditë. Në këto zgjedhje do të garojnë 25 subjekte politike/koalicione parazgjedhore.

Numri i qytetarëve të cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 6 tetorit, është 1,937,868. Lidhur me këtë, KQZ ka vendosur që numri i fletëvotimeve të cilat do të shtypen të jetë 1,801,800. Kurse numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur pas Zgjedhjeve Lokale 2017 dhe numri i votuesve që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës është: 46 mijë e 917, shkruan Telegrafi.

Më 19 shtator ka filluar votimi përmes postës për shtetasit e Kosovës që jetojnë në vendet e ndryshme të Evropës. Votimi me postë përfundon me 5 tetor.
Kujtojmë se KQZ pati vendosur që numrat e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë nga 111 deri në numrin 135 e jo më të korrespondojnë numrat e partisë me kandidatët, sikurse në zgjedhjet e kaluara. Ndërsa në tërheqjen e shortit për renditje në fletëvotim pesë partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore më të mëdha në vend kanë tërhequr numrat jo të afërt me njëra tjetrën.

Partia Demokratike e Kosovës ka tërhequr numrin 112 për t’u renditur në fletëvotim. Kështu kjo parti do të renditet e dyta me radhë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka tërhequr numrin 134 për t’u renditur në fletëvotim. Pra, LDK do të renditet e parafundit në fletëvotim.

Lëvizja Vetëvendosje ka tërhequr numrin 126 për t’u renditur në fletëvotim. LVV do të renditet e 16-ta.

Koalicioni AAK-PSD ka tërhequr numrin 119 për t’u renditur në fletëvotim. Ky koalicion do të renditet i nënti në fletëvotim.

Ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD ka tërhequr numrin 122 për renditje në fletëvotim. Ndryshe ky koalicion pra do të jetë i 12-ti në fletëvotim.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq është e angazhuar për zgjedhje sipas standardeve evropiane.

“Në emër të KQZ-së dua të garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë se KQZ mbetet e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës dhe standardeve më të larta evropiane. Vetëm zgjedhjet e lira, fer, demokratike, pa presione janë të pranuara për të gjithë. Ftoj përfaqësuesit e subjekteve politike që të respektojnë Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe rregullat e KQZ-së, sepse vetëm duke u angazhuar të gjithë së bashku, arrimë zgjedhje të lira”, ka thënë ajo.

Lidhur me këto zgjedhje edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka drejtuar një mesazh kandidatëve për deputet që kanë garuar për zgjedhjet e parakohshme që mbahen me 6 tetor.

Përmes një shkrimi në Twitter, Kosnett ka thënë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme fillojnë me kandidatët.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme fillojnë me ju. Drejtësia rrjedh nga kandidatët që ndjekin rregullat e zgjedhjeve dhe ligjin”, ka shkruar Kosnett.