Juventusi arriti të shënojë fitore me rezultat 2:0 në ndeshjen kundër Spal-it, në stadiumin “Allianz Arena”, në kuadër të xhiros së gjashtë të sezonit të ri të Serisë A, përkundër paraqitjes së mirë të portierit shqiptar të mysafirëve, Etrit Berishës.

Juventusi e siguroi fitoren e pestë në këtë sezon të ri të Serisë A në ndeshjen kundër Spal-it, që mbeti në lojë deri në fund të ndeshjes falë superpritjeve të portierit Etrit Berisha, raporton Gazeta Express.

Përkundër paraqitjes së mirë të Berishës, ai s’arriti t’ia nxjerrë ndonjë pikë nga kjo ndeshje skuadrës së tij, pasi që Miralem Pjanic e shënoi një supergol në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa Cristiano Ronaldo e dyfishoi epërsinë e bardhezinjve në minutën e 78-të.

Megjithatë, Juventusi mund ta ketë fituar ndeshjen me rezultat shumë më bindës po të mos kishte qenë për Berishën, pasi që skuadra e Maurizio Sarrit i bëri gjithsej 21 goditje, dhjetë prej të cilave brenda kuadratit të portës.

Përderisa Gianluigi Buffoni e bëri vetëm një pritje gjatë gjithë ndeshjes, Berisha i bëri gjithsej tetë. Megjithatë, skuadra e shqiptarit tani është në pozitën e 19-të në tabelën e Serisë A, me vetëm tre pikë të grumbulluara nga gjashtë ndeshjet e para.

Në anën tjetër, Juventusi është kthyer në pozitën e parë në tabelën e Serisë A, të paktën për momentin, me këto tre pikët e fundit të fituara.