Raheem Sterling beson se paraqitja e tij në fitoren e Anglisë kundër Kosovës të martën ishte më e mira që ai e ka bërë deri tani në fanellën e “Tre luanëve”.

Anësori i Manchester City Sterling i ndihmoi Anglisë ta fitojë 5:3 trillerin kualifikues për Euro 2020 ndaj një Kosove guximtare në Southampton, duke ia ndërprerë ecurinë gati dyvjeçare pa humbje kombëtares verdhekaltër,

Sterling bëri një paraqitje brilante – dhe me të drejtë u shpall lojtari i ndeshjes – duke shënuar një gol dhe krijuar tri gola të tjera. Anglia, si rrjedhojë, e ruajti rekordin pa humbje që prej vitit 2009 në ndeshje kualifikuese për Euro apo Botëror.

Skuadra e Gareth Southgate mbetet lidere e Grupit A me pikë maksimale nga katër ndeshje. Kosova e Bernard Challandes, ndërkohë, zbret në pozitën e tretë më 8 pikë, një pikë më pak se Republika e Çekisë në vendin e dytë. Kjo pasi Çekia e mundi 3:0 Malin e Zi.

I pyetur pas ndeshjes në St Mary’s Stadium për lojën që zhvilloi në aspektin individual, 24-vjeçari tha se kjo ishte paraqitja më e mirë e tij për Anglinë.

“Ishte paraqitja ime më e mirë në pjesën e parë. Ne ishim të pamëshirshëm por në këtë nivel, ne duhej ta mbyllnim këtë takim”, tha Sterling.

“Në turnet e mëdhenj, nuk guxojmë t’iu japim asnjë mundësi kundërshtarëve. Ne duhet ta bëjmë kundërshtarin t’i meritojë golat që i shënon dhe t’i ndërpresim gabimet e kota”, shtoi ai.

Loading...