Në suaza të vizitave të zakonshme për t’u ofruar mbështetje institucioneve lidhur me zbatimin e obligimeve që dalin nga Ligji i Përdorimit të Gjuhëve, gjatë ditës së sotme drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela, së bashku me bashkëpunëtorët e tij e vizitoi Agjencinë e Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku vërejti se që në hyrje të këtij institucioni tabela ende qëndronte vetëm në një gjuhë.

Në këtë takim u prit nga drejtoresha e këtij institucioni, Biljana Jovanovska dhe zëvendësdrejtori i sapoemëruar, Bekim Murati, me bashkëpunëtorët e tyre dhe u diskutua për vonesat që janë bërë në fazën e parë të zbatimit ligjor, me theks të veçantë u fol për tabelat, memorandumet, logot dhe ueb faqet.

Drejtori Ylber Sela me bashkëpunëtorët e tij ofroi mbështetje të plotë për t’i tejkaluar këto vonesa dhe ranë dakord që në të ardhmen të dy institucionet të bashkëpunojnë dhe të bëjnë parapërgatitjen për fazën e dytë, në mënyrë që ky institucion t’i zbatojë obligimet që dalin nga Ligji i Përdorimit të Gjuhëve.