Tabela në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip është shqyer nga muri i institucionit në ndërtesën e Fondit për sigurim pensional dhe invalidorë në komunën e Negotinës.

Ky veprim i paligjshëm ka ndodhur vetëm pak ditë pasi që ishte vendosur dhe se për këtë ka njoftuar përmes facebook, një parti e ashtuquajtur “Belomorska Partija”.

Sipas reagimeve në rrjetet sociale, arsye e këtij akti ka qenë gjuha shqipe dhe se me këtë sipas tyre po krijohet shteti binacional maqedono – shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Negotina dhe Kavadarci treguan se sa vlejnë tabelat dygjuhëshe. Së shpejti do të marrin vesh ‘severxhanët’ se koha e tyre është e shkurtër në tokën maqedonas dhe se Republika e Maqedonisë do të jetë përgjithmonë”, thuhet në reagim.

Sipas mediave maqedonase që raportuan për këtë veprim, tabela të tilla në maqedonisht dhe shqip janë vendosur në komuna ku sipas regjistrimit të popullsisë shqiptarët janë vetëm 0,1 për qind.

Loading...