Qytetarët nuk u pyetën nëse duan shtëpi baroku të qytetit në atë lokacion. Shitja e shtëpisë së qytetit është me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit, si organ kompetent, në ankand elektronik që do të jetë transparent. Këtë e kumtoi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

“Vendi i selisë së administratës së kryeqytetit nuk është diku i flakur anash. Vendi i selisë së kryeqytetit është në qendër të qytetit. Ajo që dikush nuk ka pasur vizion, nuk është kujdesur, nuk ka ditur, nuk ka mundur të caktojë se çka janë prioritete për Qytetin e Shkupit në të kaluarën, është një nga shkaqet që jetojmë në qytet të këtillë, në të cilin jetojmë në këtë moment”, tha Shilegov.

Moskujdesi për transportin publik dhe për rrjetin ngrohës, kaosi në urbanizëm, janë shkaqet që ky Qytet është në mesin e qyteteve më të ndotura.

“Nëse me të vërtetë e kanë ditur se çka është prioritet për Qytetin e Shkupit, nuk do ta hidhnin shtëpinë e qytetit atje ku është hedhur”, tha Shilegov.

Ai tha se punon sipas standardeve të caktuara që duhet të vlejnë për administratën e qytetit.

I pyetur për çmimin e ulët fillestar të shtëpisë së qytetit në stilin barok apo 12,7 milionë euro, Shilegov tha se çmimi fillestar është aq sa ka shpenzuar me të vërtetë Qyteti.

“Raportet financiare që i bëmë, raportet financiare që i kemi tregojnë se neto mjetet që Qyteti i ka shpenzuar në investim janë aq sa është çmimi fillestar. Nuk mendoj se është korrekte informata për rreth 20 milionë euro. Ai me TVSH është rreth 15 milionë euro”, tha Shilegov.

Në mbledhjen e djeshme të 41-të të Këshillit të Qytetit të Shkupit, me propozim të kryetarit Petre Shilegov u vu në votim dhe u votua vendimi për shitjen e Shtëpisë së qytetit në stilin barok në skelen e lumit Vardar.