Samiti mbi klimën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork u përcoll me tensione kur sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i sfidoi liderët që të mos investojnë më në projekte të qymyrit pas vitit 2020, e ndjekur nga fjalimi i flaktë i aktivistes së re Greta Thunberg.

”Liderët kanë dështuar në ndërmarrjen e veprimeve klimatike për gjeneratat e reja”, tha ajo.

Megjithatë, gjatë samitit shumë liderë njoftuan planet për veprime konkrete klimatike deri në vitet 2020, 2030 dhe 2050.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme gjatë samitit ishte ratifikimi i Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike nga ana e Rusisë.

Shtetet si Franca, Britania, Argjentina, Kosta Rika, Finlanda, Zelanda e Re dhe Suedia, njoftuan për Aleancën e re Ambicioze Klimatike, duke e çuar në 59 numrin e shteteve që kanë premtuar të paraqesin një plan veprimi më të fuqishëm në vitin 2020.

Njëmbëdhjetë shtete tjera, duke përfshirë Indinë, Kinën dhe disa shtete të Bashkimit Europian kanë nënshkruar që të fillojnë të shqyrtojnë angazhimet kombëtare drejt planeve klimatike, ndërsa Austria, Kili, Italia, Japonia dhe Timori Lindor deklaruan anëtarësimin në Koalicionin e Neutralitetit të Karbonit.

Koalicioni u ndihmon shteteve që të zhvillojnë plane për të çuar emetimet neto në zero deri në vitin 2050.