Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo javën e ardhshme udhëton drejt Vatikanit, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, kumtoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Në Maqedoninë e Veriut Pompeo do të ketë takime me presidentin, Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Zoran Zaev. Në Ohër do ta vizitojë kompleksin e manastireve “Shën Mëria Perivlepta”.

Nga Maqedonia e Veriut niset drejt Athinës, ku do të takohet me kryeministrin grek, Kiriakos Micotakis dhe shefin e diplomacisë, Nikos Dendias.

Pompeo shkon edhe në Itali, ku do të takohet me Papa Françeskun dhe do të marrë pjesë në simpoziumin ndërfetar, organizuar nga Vatikani. Në Romë do të ketë takime me presidentin Serxho Matarella, kryeministrin Xhuzepe Konte dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Luixhi Di Majo.

Në Mal të Zi do të ketë takime me presidentin Millo Gjukanoviq, kryeministrin Dushko Markoviq dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Sërgjan Darmanoviq.