Pronarët e Manchester Unitedit nuk e kanë në plan të garojnë për titullin e Premierligës të paktën deri në sezonin 2021/22.

Në gjashtë vjetët që kur Sir Alex Fergusoni është pensionuar nga karriera e tij si trajner, klubi anglez ka rënë nga të qenët kampion i Anglisë në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës, transmeton Gazeta Express.

Nëse tifozët ishin duke pritur që klubi të kthehet së shpejti në majat e futbollit anglez dhe evropian, ESPN pretendon se ata e kanë gabim, pasi që familja Glazer, pronarët e klubit, nuk presin të garojnë për titull deri në sezonin 2021/22.

Drejtori ekzekutiv i Manchester Unitedit, Ed Woodward, i cili ka shërbyer edhe për rekrutimin e futbollistëve që kur David Gill u largua nga klubi në vitin 2013, bashkë me Sir Alex Fergusonin. Ai, gjatë një takimi mes drejtuesve të klubit, kërkoi që të gjithë të kenë durim.

Kjo është shenjë se e ardhmja e Ole Gunnar Solskjaerit në pozitën e trajnerit të Manchester Unitedit është e sigurt të paktën për momentin, pasi që klubi është i gatshëm t’i japë atij më shumë kohë sesa trajnerëve paraprak.

David Moyes nuk zgjati as një sezon të plotë kur e zëvendësoi Fergusonin, përkundër që fillimisht kishte nënshkruar kontratë gjashtëvjeçare në “Old Trafford”.

Skocezi u zëvendësua nga Louis Van Gaal, i cili u shkarkua menjëherë pasi e fitoi titullin e FA Cup me Manchester Unitedit, dhe u ndoq nga Jose Mourinho, vendin e të cilit tani e mban Solskjaer.