Gjykata e Krimeve te Renda pritet te jape sot vendimin per ish-ministrin e Brendshem, Saimir Tahiri. Ne seancen e dates 10 shtator, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 12 vite burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa ky i fundit, teksa e quajti procesin të montuar politikisht, kërkoi nga Gjykata shpalljen e tij të pafajshëm.

Gjykata e shtyu seancën për në datën 19 shtator, kur do të lexohet mbrojtja e Jaeld Çelës dhe më pas treshja gjykuese do të tërhiqet për të dhënë vendim.

Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, prokurori kërkoi për Tahirin dhe ish drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën, dënimin me nga 8 vite burg përfundimisht.Në një seancë, e cila zgjati më shumë se 8 orë, tre prokurorët e çështjes, Arens Çela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, lexuan pretencën duke renditur provat dhe faktet që sipas tyre, vërtetojnë fajësinë e ish-ministrit në trafikimin e lëndëve narkotike në kuadër të grupit kriminal.

Gjate pretences, duke e nisur me një pasqyrim të aktivitetit të grupit të ashtuquajtur të Habilajve, në Vlorë, me një sërë përgjimesh të kryera ndaj Taulant Haxhirajt, i dënuar për kultivimin e drogës së grupit dhe lëvizjet e punonjësve të Policisë në këtë zonë, Akuza tha se ky grup ka pasur mbështetjen e zyrtarëve të Policisë në aktivitetin kriminal.

Në disa raste, fjala e prokurorëve u ndërpre nga ish-ministri dhe avokati i tij, të cilët kërkuan nga prokurorët të lexonin faktet penale të cilat i atribuoheshin atij dhe jo personave që tashmë janë dënuar dhe nuk kishin lidhje me procesin që po zhvillohej. Me gjithë pretendimet e ngritura nga mbrojtja, për Prokurorinë ishte e nevojshme pasqyrimi i aktivitetit për të parë rolin e Policisë.

Loading...