Administrata Trump ka propozuar që të pranojë vitin e ardhshëm një numër total prej 18 mijë refugjatësh, njoftoi Departamenti i Shtetit të enjten. Kjo shifër, nëse bëhet realitet, do të ishte numri më i ulët i refugjatëve të pranuar zyrtarisht në historinë e Amerikës.

Nëse vihet në zbatim, viti 2020 do të jetë i treti radhazi që sjell ulje të ndjeshme në numrin e refugjatëve që pranojnë Shtetet e Bashkuara. Për momentin këto shifra janë thjesht propozime.

Shifra përfundimtare, që do të jepet në formën e një “vendimi presidencial” do të njoftohet në javët e ardhshme, pas konsultimit që kërkohet me Kongresin, tha një zyrtar i lartë i administratës në komentet për gazetarët në një konferencë telefonike për shtyp të organizuar nga Shtëpia e Bardhë.

Në vitin fiskal 2018, viti i parë i plotë buxhetor i administratës Trump, refugjatët që do të pranoheshin kishin një numër tavan deri në 45,000 vetë por vetëm 22,491 refugjatë u pranuan.

Në vitin fiskal 2019, u caktua si tavan 30,000 refugjatë. Tani që mbeten vetëm tre ditë deri në përfundim të vitit fiskal, Shtetet e Bashkuara janë pranë shifrës maksimale pasi kanë pranuar deri tani 29,972 refugjatë sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit.

Para zgjedhjes së zotit Trump, shifra maksimale për pranimet ishte 60,000-70,000 që kur filloi ky program në vitin 1980.

Sistemimi i refugjatëve

Gjatë vitit të fundit të administratës së mëparshme, Presidenti Obama caktoi si nivel tavan 110,000 refugjatë. Duke ngritur shqetësime për sigurinë, Presidenti Trump e reduktoi në më pak se 50% këtë shifër gjatë vitit 2017.

Megjithatë, statistikat nuk dëshmojnë lidhje mes këtij reduktimi dhe shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

Rrjeti i agjencive dhe organizatave për sistemimin e refugjatëve bëri presion për një nivel maksimal prej 95,000 për vitin 2020 dhe shifrat e propozuara nga administrata u kritikuan menjëherë nga ky rrjet të enjten.

“Njoftimi i sotëm për numrin e refugjatëve që do të pranohen në SHBA është një sinjal për botën se Shtetet e Bashkuara nuk janë më vend mikpritës; ky mesazh do të vazhdojë të bëjë jehonë në botë për vite të tjera me radhë,” tha Daryl Grisgraber, shefja e politikave humanitare në organizatën Oxfam America.

Propozimi për nivelin e ri tavan është një ndër tre ndryshimet rrënjësore të njoftuara të enjten ndaj programeve për pranimin e refugjatëve.

Presidenti nxori edhe një urdhër ekzekutiv që kërkon nga autoritetet shtetërore e lokale që të “japin parapëlqim” për të pranuar refugjatë për strehim në komunitetet e tyre.

Megjithëse nuk është një shqetësim i përhapur, urdhri i presidentit u jep mundësi shteteve si Tenesi, që pat hedhur në gjyq qeverinë federale, megjithëse pa sukses, për të mos lejuar dërgimin e refugjatëve për t’u vendosur në këtë shtet, që të pengojnë organizatat jofitimprurëse, të cilat duan të sistemojnë refugjatët në shtetet në fjalë.

“Imigracioni është një çështje federale, si në Kushtetutë ashtu edhe nga pikëpamja e precedentit juridik. Nëse ia kalon këtë përgjegjësi shteteve apo autoriteteve lokale, je duke hequr dorë nga përgjegjësia ekzekutive që i ka rrënjët që në themelimin e këtij vendi,” thotë Krish O’Mara Vignarajah, presidente e Shërbimeve Luterane për Imigracionin dhe Refugjatët, një nga agjencitë kryesore amerikane për sistemimin e refugjatëve.

Kritikët e programit amerikan për refugjatët kanë parashtruar argumente pro uljes së numrit të refugjatëve të pranuar, si dhe për ndryshime mbi praktikat se si zbatohet sistemimi i këtyre refugjatëve.

Ndryshime të mundshme

Të enjten Ken Cuccinelli, drejtori në detyrë i Shërbimeve amerikane për Shtetësinë dhe Imigracionin, agjencia federale që mbikqyr procesin e pranimit të refugjatëve, la të kuptohej se do të ketë ndryshime në programin e pranimeve.

“Mendoj se do të shihni entitete të tjera që angazhohen me rol në vendimmarrje për refugjatët dhe sistemimin e tyre në të ardhmen e afërt. Po analizojmë mënyra të ndryshme,” tha ai gjatë një interviste me Qendrën për Studime mbi Imigracionin, e cila punon për politika që kufizojnë numrin e imigrantëve.

Përveç uljes së numrit të refugjatëve që pranohen dhe të drejtën që do t’u ofrohet shteteve dhe komuniteteve lokale për të kundërshtuar pranimin e refugjatëve në territoret e tyre, Departamenti i Shtetit po krijon kategori të reja për pranimin e refugjatëve – një procedurë që është përdorur rrallë për të përmbushur një numër të caktuar njerëzish nga një rajon specifik.

Për vitin fiskal 2020, totali do të përfshijë deri në 5,000 refugjatë të persekutuar për bindjet fetare; 4,000 irakianë që ndihmuan SHBA gjatë operacioneve në Irak dhe deri në 1,500 vende për ata që Shtëpia e Bardhë i cilëson si “refugjatë legjitimë” nga Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi.

Propozimi i ri i administratës lejon pranimin e vetëm 7,500 refugjatëve të tjerë që nuk përfshihen në kategoritë e sipër-përmendura.

Nën administratën Trump, grupet që pranohen dëshmojnë një largim nga vendet dhe rajonet nga ky pranoheshin më parë shumica e refugjatëve. Ka një rënie të dukshme të numrit të refugjatëve myslimanë të pranuar në SHBA.

Duke qenë se nuk lejohen pranime refugjatësh në vitin e ri fiskal deri kur të nënshkruhet vendimi presidencial, në javët në vazhdim të vetmit refugjatë që do të mbërrijnë në SHBA do të jenë ata që kanë marrë tashmë konfirmim për udhëtimin, shpjegon një zyrtar i lartë i administratës. /voa