Paralajmërimi i sizmiologut grek, Akis Tselentis, i cili tha se Ballkani do të goditet nga një tërmet “apokaliptik”, 30 herë më i fuqishëm se ai që ndodhi në Athinë, bëri mjaft bujë në media, por jo vetëm.

Alarmi i sizmiologut grek u mor në konsideratë edhe nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Kreu i Shtetit i dërgoi një letër kryeministrit Edi Rama, zv/kryeministrit Erion Braçe dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, të cilët i informoi lidhur me alarmin e ngritur.

Më pas sizmiologu grek reagoi sërish në media, duke theksuar se deklaratat e tij janë keqinterpretuar.

Së fundmi, pas tërmetit të fuqishëm që shkundi vendin ditën e djeshme, sizmiologu grek ka dhënë një intervistë për Top Channel, ku tregoi ndër të tjera arsyen pse u detyrua të përgënjeshtrojë lajmin.

Tselentis u shpreh se këtë gjë e bëri pasi po shkaktohej panik dhe frikë e madhe tek qytetarët.

Pjesë nga intervista:

TCH: Emri juaj u implikua edhe tek deklaratat e presidentit shqiptar para disa javësh…

Akis Tselentis: Dhe u përpoqa sepse pata frikë, u përpoqa atëherë t’i ndryshoj pak të thënat, pasi këto gjëra nuk thuhen, e dini shumë mirë që nuk thuhet në publik …Vlerësimet për tërmetet që mund të ndodhin nuk bëhen publike sepse mund të shkaktosh panik dhe të shkaktosh një dem akoma më të madh.

TCH: Ju e keni përgënjeshtruar këte gjë apo jo?

Akis Tselentis: Po, e përgënjeshtrova për arsye që kuptohen. Sepse nuk dua që të thuhen tek populli i thjeshtë keto gjera. Këto bëhen të ditura vetëm tek shërbimet shtetërore.