Aktivitete të pakta shënuan javën e barazisë gjinore, sidomos në sferën e politikës ndërkohë që numri i grave në funksionet të larta politike ose publike në vend mbetet relativisht i ulët. Asnjë nga partitë politike ose subjektet në koalicion që përfaqësohen në Kuvend nuk drejtohet nga një grua kurse pamja në kabinetin qeveritar është edhe më maskuliste.

Nga 27 anëtarë të kabinetit qeveritar, ku bëjnë pjesë kryeministri, zv.kryeministrat, ministrat dhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, vetëm pesë janë gra dhe ata drejtojnë Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Drejtësis, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe një ministre pa resor, e angazhuar për investime të huaja. 22 funksione të tjera ose resore ministrore kanë një burrë në krye. Fotografitë nga aktivitetet publike ku janë delegacione të ndryshme qeveritare, shpesh paraqesin vetëm burrat, në krye të detyrës. Ekzekutivi, në gusht të 2017, ka sjellë vendim për formimin e një grupi ndër-resorë, konsultues dhe këshillëdhënës i cili drejtohet nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për mundësi të barabarta për gratë dhe burrat.

Përfaqësimi gjinor në Kuvend rregullohet me ligj nëpërmjet Kodit Zgjedhor gjatë përpilimit të listave të kandidatëve për deputetë. Aktualisht në institucionin ligjvënës ka 48 deputete nga më shumë parti politike gjë që arrin kuotën ligjore për përfaqësim prej 40%. 72 nga gjithsej 120 deputetë janë burra.

Savka Todorovska nga Këshilli nacional për baraza gjinore thotë për Alsat se vendi jonë është lider në rajon për përfaqësimin e grave në politikë megjithatë sa u takon pozitave të larta drejtuese, situata nuk është e njëjtë. Ajo shton se gjithmonë duhet parasur parasysh se popullsia në vend është 50% grad he 50% burra kurse gratë në përqindje janë më shumë sa i takon shkollimit të lartë.

Kjo nuk nënkupton dobësi të grave ose të shtetit. Ligjet i kemi, mundësitë po ashtu i kemi. Gratë në periudhën e kaluar kanë bërë për tejkalimin e stereotipeve në arsim. Sot në Maqedoni kemi 10% më shumë gra se burra me arsim të lartë me tituj doktoratash dhe masterash. Por, pushteti në nivel më të lartë dhe në borde drejtuese dhe menaxhuese është në nivel jo të kënaqshëm”-tha Savka Todorovska, Këshilli nacional për barazi gjinore.

Todorovska nuk pajtohet me pyetjen se si mund të ju jepet më shumë grave në këtë aspekt. Ajo thotë se ata duhet të jenë të vetëdijshme të marrin atë që u takon dhe për të cilën janë të afta.

Askush, asnjëherë dhe askund nuk do të ngrihet dhe vullnetarisht t’ja lëshojë vendin e tij askujt nga cilado qoftë gjini, përfshirë këtu edhe gratë. Prandaj gratë me të gjithë diturinë, aftësinë dhe cilësinë e tyre, për të cilat hulumtimet tona tregojnë se i kanë, vetë duhet t’i tejkalojnë stereotipet dhe të vendosen në pozitën të cilën e synojnë”-pohoi Savka Todorovska, Këshilli nacional për barazi gjinore.

Maqedonia nuk ka pasur asnjëherë një presidente grua. Vendi nuk ka pasur as kryetare të Kuvendit por as kryeministre, përveç, në kohën kur, për pozitën e fundit, dy herë nga dy javë në vitin 2004, Radmilla Shekerinska ka qenë ushtruese detyre.