Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thotë se ka arritur një marrëveshje gjatë takimeve në Kombet e Bashkuara me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe me atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Në takimin e 9 dhe 10 tetorit, kur Rama dhe Zaev do të jenë në Serbi, palët do të nënshkruajnë iniciativën e zonës “mini-Shengen”, heqjen e pengesave doganore dhe vendosjen e një tregu të vetëm në Ballkanin Perëndimor. ”Ne do ta ndërmarrim këtë nismë brenda dy javësh, në një takim në Serbi. Unë besoj se është e rëndësishme. Pastaj, do të shkojmë në Maqedoninë Veriore dhe Shqipëri në përpjekje për të çuar atë përpara. Më pas ne do të përpiqemi të përfshijmë Prishtinën dhe Bosnjë-Hercegovinën, dhe kjo do të ishte diçka e ngjashme me marrëveshjen CEFTA”, tha Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë. Kosova është shprehur vazhdimisht kundër një nisme të tillë, pasi e konsideron atë si rikthim të ish Jugosllavisë.