Milot Rashica ka kaluar nëpër sfida shumë të vështira, përfshirë një lëndim të rëndë qysh në fillimet e tij, për ta bërë ëndrrën realitet: të qenet futbollist profesionist.

I lindur dhe rritur në Vushtrri, Rashica e nisi karrierën te klubi i qytetit, Llamkos Kosova, apo siç njihet tani Vushtrria, për të cilin debuton si 16-vjeçar dhe e fiton titullin e kampionit të Kosovës në sezonin 2013/14, raporton Gazeta Express.

Por gjatë atij sezoni, tani ylli i Kombëtares së Kosovës pëson një lëndim të rëndë, i cili ka mundur të ndikonte në të ardhmen e ndritshme të tij. Ai u lëndua rëndë gjatë një ndeshje me Trepçën ’89 në Mitrovicë.

Por, me ndihmën e Altin Lalës, ish-lojtarit të Kombëtares së Shqipërisë, Miloti shkon në Hanover për t’u shëruar, ku faza e rikuperimit të tij zgjat plotë tetë muaj.

Pasi përfundon fazën e rikuperimit ai rikthehet në Kosovë për të luajtur me Vushtrrinë dhe më pas fillon aventurën në Evropë, ku shkon në prova te Vitesse. Aty qëndron 2 javë me ekipin e dytë dhe kur trajnerët mahniten me talentin e tij dhe dërgojnë për stërvitje me ekipin e parë.

Më 10 shkurt të vitit 2015 Miloti arrin marrëveshje zyrtare me Vitessen, por që karriera e tij në Holandë do të niste zyrtarisht nga 1 korriku.

Paraqitjet fantastike në ligin elitare holandeze ia sigurojnë 23-vjeçarit kalimin në Werder Bremen në janar të vitit 2018, me klubin nga Bundesliga që pagoi 7 milionë euro për shërbimet e kosovarit.

Që prej atëherë, Rashica është shndërruar në yll në skuadrën e Bremenit dhe në Kombëtaren e Kosovës, duke qenë frymëzim se pavarësisht sfidave dhe vuajtjeve, ëndrrat bëhen realitet me punë dhe vullnet.