Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku i ka kërkuar prokurorisë së Tiranës të nisë vlerësimin ligjor në lidhje me lajmin e rremë të përhapur mbrëmjen e djeshme për një tërmet apokaliptik që do të godiste Shqipërinë.

“Prokurorja e Përgjithshme znj. Arta Marku kërkoi nga Pokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, vlerësimin e menjëhershëm ligjor në lidhje me dyshime për përhapjen në publik të informatave/njoftimeve të rreme që ngjallin panik dhe pasiguri tek qytetarët.

Në mbështetje të neneve 38 dhe 50/1 të Ligjit nr.97/2016 ”Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, pa cënuar sekretin hetimor Prokurorja e Përgjithshme znj. Arta Marku kërkoi gjithashtu informacion në lidhje me mënyrën e trajtimit të materialit.“-thuhet në njoftim.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme policia në lidhje me këtë ngjarje arrestoi dy gazetarë të dy portaleve “Syri.net” dhe “Shekulli”. Lajmi në fjalë u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe përhapi dukshëm ankth dhe panik mes qytetarëve, të cilët pak minuta më parë përjetuan një tërmet 4.4 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër në afërsi të qytetit të Vorës. Mijëra shqiptarë braktisën banesat dhe dolën nëpër rrugë, lulishte apo gjetkë për t’i shpëtuar tërmetit të aluduar.