Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka zbuluar se portieri Alisson Becker pritet do të kthehet në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës të dielën, pasi ka qenë jashtë skuadrës për shtatë javë.

Alissoni e kishte pësuar një lëndim gjatë ndeshjes hapëse të sezonit të ri të Premierligës, kundër Norwich Cityt, më 9 gusht. Ai u lëndua pasi e rinisi lojën në fitoren me rezultat 4:1, transmeton Gazeta Express.

Adrian – i cili iu bashkua skuadrës së Liverpoolit në formë transferimi të lirë këtë verë –ka qenë duke e zëvendësuar Alissonin që nga atëherë dhe i ka ndihmuar Liverpoolit t’i fitojë të gjitha ndeshjet e Premierligës deri më tani.

“Alisson është shumë afër”, thotë Klopp

Fillimisht nuk kishte qenë e ditur se për sa kohë do të mungonte Alissoni nga skuadra e Liverpoolit, pasi që stafi mjekësor kishte bërë të ditur se procesi rikuperues mund ta zgjasë disa javë deri në rreth dy muaj.

Edhe pse ai nuk do të ketë mundësi të luajë në ndeshjen e së sthunës kundër Sheffield Unitedit, Kloppi pret nga Alissoni që të kthehet në stërvitje të plota ditën vijuese.

“Alissoni duket se është afër [kthimit nga lëndimi], por fjala përfundimtare i takon departamentit mjekësor”, tha Klopppi të premten, në një konferencë për shtyp para ndeshjes së kësaj fundjave.

“Ai nuk është në skuadër për përballjen kundër Sheffieldit nesër. Ndoshta ai mund të stërvitet me skuadrën nga e diela e më tutje. Është me të vërtetë shumë afër [kthimit nga lëndimi]”.

“Unë nuk jam mjek, i marr informatat për Alissonin ashtu si më thonë ata. Gjatë dy javëve të fundit, ai ka bërë progres shumë të mirë. Ata [stafi mjekësor] pritën kohë të gjatë derisa ai të kthehet në stërvitje plotësisht”.