Rrjetet sociale mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA. Mund të ketë edhe faktorë të tjerë negativë.

Koncerni amerikan Facebook vlerëson se rrjetet sociale mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. “Aktorë të huaj do të përpiqen të influencojnë zgjedhjet presidenciale në SHBA, në vitin 2020. Por do të ketë edhe përpjekje të tjera si në vitin 2016”, deklaroi shefi teknik i Facebook-ut, Mike Schroepfer, për gazetën “Welt am Sonntag”.

Sipërmarrja e tij po përpiqet të gjejë mekanizma mbrojtës nga propaganda dhe përdorimi i inteligjencës artificiale (KI), kumtoi Schroepfer. Por Facebook-u këtu është duke luftuar “kundër një kundërshtari, i cili po gjen metoda të ndryshme. Në këtë fushë nuk je kurrë i sigurt se janë identifikuar të gjitha burimet”.

Roli i shoqërisë

Menaxheri i Facebook-ut në këtë intervistë ka shkuar edhe një hap më tutje. Vendimi se çfarë përmbajtjesh duhet të ndalohen në internet dhe çfarë jo, nuk mund të merret ende. Schroepfer pohon: “Shtrohet pyetja: A duhet t’i ndalojë Facebook-u dallimet kulturore, sociale, politike? Përgjigja është jo!” Në shtigje afatgjata shoqëria duhet të luajë një rol vendimtar. “Ajo duhet të vendosë, se cilat postime dhe tekste në këtë platformë janë në rregull e cilat jo”. Por në këtë periudhë nuk mund të përjashtohet as përdorimi i moderatorëve në Facebook, gjë që është kritikuar muajt e kaluar, thotë Schroepfer.

Rrjetet sociale do të përdoren gjithmonë për përhapjen e lajmeve të rrejshme. Dyshohet se Facebook-u është keqpërdorur në mënyrë masive nga rusët në zgjedhjet e vitit 2016. Por rrjetet sociale janë keqpërdorur dhe keqpërdoren edhe sot në shumë vende të tjera, në kohën e zgjedhjeve./DW

Loading...
Global