Benny Gantz, rivali i Benjamin Netanyahu-t në zgjedhjet e fundit parlamentare në Izrael, tha se refuzon të marrë pjesë në një qeveri të kryesuar nga një kryeministër që përballet me akuza.

“Partia Bardheblu, që unë udhëheq, nuk do të pranojë të ulet në një qeveri mbi udhëheqësin e së cilës rëndojnë akuza serioze.” tha Gantz, në faqen e tij në Facebook, në lidhje me Benjamin Netanyahu-t, që duhet të japë llogari për mashtrim dhe përvetësim fondesh.

Kryeministri izraelit në ikje, Benjamin Netanyahu, i zgjedhur për të formuar qeverinë e ardhshme, i kërkoi rivalit të tij, Benny Gantz-it, për t’iu bashkuar në krijimin e një kabineti qeveritar të përbashkët.

“Mendoj se duhet të formojmë një qeveri uniteti së bashku”, deklaroi Netanyahu në lidhje me Gantz-in, duke evokuar për një udhëheqje të përbashkët në një qeveri të zgjeruar uniteti kombëtar.

Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, i bëri thirrje kryeministrin në ikje, Benjamin Netanyahu-t, që të përpiqet të formojë qeverinë e ardhshme, pas zgjedhjeve parlamentare që zhytën vendin në një ngërç politik.

“Përgjegjësia për formimin e qeverisë së ardhshme do t’i jepet kryeministrit dhe udhëheqësit të Likud-it, Benjamin Netanyahu-t”, njoftoi presidenca në një deklaratë.

Presidenti izraelit, Reuven Rivlin mori rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të përgjithshme të javës së kaluar, nga të cilat nuk pati asnjë fitues.

Duke parë se cili ka më shumë gjasa për të formuar qeverinë, numri i vendeve në aleancat e partive që mbështesin secilin kandidat mbeti i njëjtë, me Netanyahu-n që kryeson me një vend. 55 deputetë të së djathtës dhe bllokut fetar kanë miratuar Netanyahu-n dhe 54 nga partitë në bllokun e qendrës së majtë kanë mbështetur Gantz-in.