Së fundmi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, për të debatuar ka filluar seanca për rebalansin e buxhetit, njofton Zhurnal.

Nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë vazhdimisht po lavdërohen për përfitimet nga rebalansi i buxhetit, duke vënë fokusin tek rritjet e pagave në sektorin privat dhe atë shtetëror.

Nga opozita si gjithnjë, kritikojnë rebalansin e ri të buxhetit, duke akuzuar se me buxhetin e ri, do të ketë 50 milion euro më pak mjete për investimet kapitale sikurse për rrugë, shkolla, spitale, banesa sociale, gasifikim dhe projekte tjera. Nga buxheti aktual ishin ndarë 422 milion euro për investime kapitale, ndërsa me ribalansin e buxhetit do të ndahen rreth 370 milion euro. Kjo sipas opozitës, është paaftësi e Qeverisë për të mos realizuar këto investime.

Kritika kanë arritur gjithashtu edhe nga sfera akademike. Së fundmi, profesori Izet Zeqiri ka shkruar se Rebalansi i buxhetit për vitin 2019 i ka kapur edhe disa institucione të rëndësishme për realizimin e të drejtave të shqiptarëve, të cilat udhëhieqn nga kuadro shqiptarë. Zeqiri konsideron që në vend se të mbështeten finansiarisht këto institucione, qeveria u’a shkurton mjetet.

Zeqiri ka bërë një krahasim për atë se sa mjete i janë ndarë Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit dhe sa i ndahen tani Ministrisë për Sistem Politik. Siç pohon Zeqiri, kësaj ministrie po i shkurtohen mjetet për 10 përqind apo për 65.873.000 denarë. Siç konsideron profesori, në këtë pjesë ka nevojë të rriten pagat e jo të zvogëlohen përshkak se vazhdimisht po zvogëlohet përqindja e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike në dy vitet e fundit, njofton Zhurnal.

Zeqiri vlerëson se me rebalansin e buxhetit është prekur edhe arsimi në të gjitha nivelet.

“Është indikative zvogëlim i mjeteve për në fushën e arsimit, posaçërisht zvogëlimi i mjeteve të Universitetit “Nëna Terezë” për 47.94% ose respektivisht për 157.619.000 denar, e cila bëhet disa vite radhazi, me zvogëlim të mjeteve përballet edhe Universitetin e Tetovës për 10.835.000 denar. Në fushën e kulturës kemi zvogëlimin e mjeteve për Muzeun e Alfabetit Shqip edhe atë 600.000 denar apo 22.79%.
Gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ende nuk është formuar Inspektorati Shtetëror për respektimin dhe zbatimin e drejtë të gjuhës shqipe nëpër institucionet e vendit, qeveria ia zvogëlon mjetet për 2.959.000 denar ose për 39.86%. Inspektorati për përdorimin e gjuhëve është një organ në Ministrinë e Drejtësisë në cilësinë e një personi juridik dhe kryen mbikëqyrje inspektimi mbi zbatimin e plotë dhe të vazhdueshëm të përdorimit të gjuhëve”, ka shkruar profesori Izet Zeqiri.

Ndryshe, procedura për rebalansin e buxhetit për vitin 2019 në Kuvend ka hyrë dje dhe sipas partisë në pushtet LSDM-së, ky rebalans siguron përfitime më të mëdha për qytetarët. Nga LSDM premtuan se nëse punëdhënësit u’a rritin punonjësve pagat për 100 euro, kontributet do t’i mbulojë shteti.

Nga LSDM bëjnë thirrje për të gjithë deputetë të japin mbështetje për rebalansin e Buxhetit për vitin 2019.