Presidenti iranian, Hassan Rohani, tha para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se Irani nuk do të negociojë me SHBA-në, për sa kohë që ajo do të vërë sanksione kundër Teheranit.

“Në emër të vendit tim, dua të njoftoj se përgjigjja jonë ndaj çdo negociate, për sa kohë ka sanksione, është negative”, – u shpreh ai, ndërkohë që Uashingtoni e ka ashpërsuar edhe më shumë presionin e tij ekonomik.

“Fotot për kujtim janë etapa e fundit e negociatave, jo e para”, – iu përgjigj ai europianëve, që bënë apel për një takim mes tij dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Kjo deklaratë vjen pasi presidenti francez, Emmanuel Macron gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kërkoi nga SHBA-ja dhe Irani që të vazhdojnë bisedimet.

“Tani më shumë se kurrë, është koha për negociata midis Iranit, SHBA-së, nënshkruesve të marrëveshjes bërthamore iraniane dhe fuqive rajonale, me objektiv sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, – tha Macron.

Deklarata të shumta kanë lëshuar edhe liderët përkatës të dy vendeve, të cilat shpeshherë i largojnë nga bisedimet mes palëve.