Cristiano Ronaldo në një intervistë të dhënë së fundmi për kanalin britanik “ITV”, ka treguar vështirësitë e jetës së tij kur ishte fëmijë. Një nga futbollistët më të kushtueshëm në botë, tha se do të donte të gjente punonjësen e një dyqani McDonalds që i jepte hamburger falas kur ishte i vogël dhe shkonte të kërkonte ushqim. Ai tha se kur stërviteshin me Sporting Lisbon, ata shkonin te një dyqan McDonalds ngjitur ku kërkonin për të ngrënë. Një grua e quajtur Edna dhe dy vajza të tjera nuk e refuzonin. Ronaldo tha se po t’i gjente, do të kishte dëshirë të darkonte me to në Lisbonë

Një nga gratë është identifikuar, pas intervistës. Ajo quhet Paula Leça dhe është nënë e dy fëmijëve. Ajo kishte punuar në dyqanin ngjitur me stadiumin në atë kohë dhe thotë se Ronaldo, bashkë me fëmijë të tjerë, vinin shpesh pasi luanin.

“Ata shfaqeshin përpara kioskës sikur të mos ishin të interesuar, kur kishte shumë hamburger, menaxherët na lejonin që t’u jepnim falas. Njëri prej tyre ishte Cristiano Ronaldo, i cili ishte i ndrojtur. Kjo ndodhte thuajse çdo natë të javës. Ronaldo i turpshëm? Po në atë kohë. Nuk ishte ai që gjithmonë kërkonte, qëndronte më pas”, ka thënë Pala Leça, e cila ka treguar disa prapaskena nga historia e rrëfyer fillimisht nga portugezi. Ajo është shprehur e gatshme për të darkuar me Ronaldon, i cili shprehu dëshirën për t’ua shpërblyer.

“Jam duke menduar që nuk është një shaka. U kam treguar fëmijëve dhe ata nuk e besonin se mund t’i kisha dhënë hamburger Ronaldos.  Bashkëshorti im e dinte, pasi vinte shpesh të më merrte dhe e shikonte. Është një histori për të qeshur kur e kujton. Kjo tregon përulësin e tij. Unë jam gati për të darkuar me Ronaldon dhe gjëja e parë që do t’i them është faleminderit, do të kemi kohë për të rikujtuar të kaluarën”, deklaroi ajo për mediat portugeze

Loading...