Florent Hadërgjonaj e ka analizuar lojën e Kosovës në humbjen nga Anglia me rezultat 3:5. Futbollisti kosovar thotë se “Dardanët” bënë lojë të mirë dhe dolën faqebardhë nga ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Southamptonit

Florent Hadërgjonaj mendon se Kosova doli faqebardhë nga ndeshja me Anglinë, përkundër humbjes.

Mbrojtësi i krahut e nisi lojën në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa në atë të dytë u zhvendos në të djathtë, ku u tregua mjaft i rrezikshëm.

Ai insiston se të humbësh nga Anglia nuk është turp.

Prandaj, e ka përgëzuar ekipin për paraqitjen që e bëri.

“Ne e kemi pasur një plan, nuk kemi ardhur këtu të mbyllemi, e treguam veten. I pranuam 5 gola, por i shënuam 3, ka shumë kohë që Anglia nuk i ka pësuar 3 gola në shtëpi. E kemi ditur rrezikun një kundër një. Por, kur ta shikosh pjesën e dytë, mendoj se kemi dale më fytyrë të bardhë si ekip”, ka thënë mbrojtësi i Huddesfieldit për Supersport.

“Në pauzë biseduam, thamë se ne duhet të jemi krenarë që luajmë për këtë fanellë dhe se duhet ta tregojmë veten si ekip, që duhet të luftojmë si familje. Pjesën e dytë e fituam 2:0 dhe është sukses i madh. Duhet të jemi krenarë dhe shikuesit na kanë mbështetur, ishte atmosferë fantastike. Ne e kemi vetëbesimin, e treguam edhe në fushë. Njerëzit po e shohin se si po luajmë futboll. U munduam të luanim edhe këtu, kundër Anglisë jashtë”, përfundoi Hadërgjonaj.

Loading...