Edon Zhegrova e ka shënuar golin e parë në karrierë, dhe atë në mënyrën më mjeshtërore të mundshme, për Baselin në Superligën e Zvicrës, duke i ndihmuar skuadrës së tij ta mposhtë 4:0 Zurichin të mërkurën.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, i cili kishte luajtur vetëm 63 minuta futboll deri tani këtë sezon për Baselin, e realizoi golin e parë në ligën elitare zvicerane që prej huazimit nga Genku në fillim të këtij viti, raporton Gazeta Express.

I ardhur nga banka rezervë në minutën e 72-të në vend të Kevin Bua, Zhegrovës iu deshën më pak se dhjetë minuta për ta shënuar mbase golin e karrierës në minutën e 80-të.

20-vjeçari e mori topin pothuajse në mesin e fushës dhe ia doli t’i shmangë pesë futbollistë rrugës drejt portës së Zurichit, për ta mposhtur portierin Vanins.