Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin tha të hënën se administrata Trump po shqyrton vendosjen e sanksioneve lidhur me blerjen nga Turqia të një sistemi rus të mbrojtjes nga raketat, por shtoi se ende nuk është marrë një vendim.

Zoti Mnuchin i bëri komentet për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë kur u pyet nëse Departamenti i tij po shqyrton sanksione të tilla.

Ankaraja dhe Uashingtoni kanë patur mosmarrëveshje pas blerjes nga Turqia të sistemit rus S-400, për të cilin Shtetet e Bashkuara thonë se nuk është në përputhje me sistemet e mbrojtjes të NATO-s dhe paraqet kërcënim për avionin luftarak F-35 të firmës amerikane Lockheed Martin.

Rusia i dorëzoi Turqisë një bateri të dytë raketash S-400 muajin e kaluar, sipas agjencisë së lajmeve Interfax, që citonte presidentin rus Vladimir Putin. Ankaraja e mori dërgesën e parë në korrik.

Uashingtoni e kishte paralajmëruar më parë Turqinë se do të përballej me sanksione dhe e largoi Ankaranë nga programi i avionëve F-35.

Loading...