Tifozët e Liverpoolit që po shpresojnë që këtë vit do ta fitojë titullin e shumëpritur të Premierligës do t’i gëzohen lajmit se skuadra e Jurgen Kloppit tashmë e ka arritur ecurinë më të mirë në histori të klub në 29 vjetët e fundit, pas fitores me rezultat 1:0 kundër Sheffield Unitedit.

“The Reds” nuk e patën të lehtë ta sigurojnë fitoren e sotshme kundër skuadrës së Chris Wilderit, të promovuar nga Championshipi në Premierligë këtë sezon, pasi që s’arrin ta regjistrojnë asnjë goditje brenda kuadratit të portës në pjesën e parë – hera e parë që ka ndodhur kjo gjë që nga shkurti i vitit 2017 kundër Hull Cityt, një ndeshje që ata e humbën 2:0,

Për më tepër, kjo ishte hera e parë që Liverpooli ka dështuar të jetë në epërsi në një ndeshje të Premierligës në pjesën e parë këtë sezon, pasi që djemtë e Kloppit i kishin shënuar 12 nga 17 golat e tyre deri më tani gjatë 45 minutave të parë.

Sadio Mane ishte afër ta zhbllokojë rezultatin e ndeshjes në disa raste, mirëpo ai nuk arriti të jetë i saktë para portës kundërshtare. Ndërsa, në fund ishte Gini Wijnaldum ai që e kaloi në epërsi Liverpoolit, qysh me goditjen e parë të skuadrës brenda kuadratit të portës.

Me këtë fitore, Liverpooli e ka vazhduar rekordin e përsosur në shtatë ndeshjet e para të ligës vetëm për herë të dytë në histori, për herë të parë në sezonin 1990/91, Ata gjithashtu u bënë klubi i dytë që e arriti këtë rekord në epokën e Premierligës, pasi Chelsea i kishte fituar nëntë ndeshjet e para në sezonin 2005/06.

Ndeshja e radhës për Liverpoolin është në kuadër të Ligës së Kampionëve, kundër klubit austriak Salzburg, liderit aktual të Grupit A, pas fitores 6:2 në ndeshjen hapëse kundër Genkut, përderisa Liverpooli pësoi disfatë 2:0 kundër Napolit.