E hëna e zezë e Juventusit”, kështu janë hapur të gjithë lajmet e mëngjesit të së hënës për “Zonjën e Vjetër”.

E gjithë kjo situatë është krijuar pasi kampionët e Italisë kanë pësuar një tronditje të fuqishme në bursë, duke u pezulluar për dy herë aksionet e tyre gjatë ditës së sotme dhe më pas aksionet e klubit kanë rënë në vlerën 7.2%, 1.27 euro për aksion. Që nga 23 gushti aksionet e klubit kanë patur luhatje të ndeshje, duke rënë nga 1.58 euro në vlerën e ditës së sotme.

Arsyeja? Emri i parë është Cristiano Ronaldo. Afrimi i sulmuesit portugez sezonin e kaluar i kushton çdo vit rreth 100 mln euro shpenzime Juves, ndërsa përfitimet nga marketingu dhe fanellat e shitura të tij janë rreth 42 mln euro, pra as gjysma e shpenzimeve. Me pak logjikë klubi bardhezi mund të kishte blerë çdo vit nga një lojtar të madh, me vlerë 100 mln euro dhe jo CR7.

Në verë aksionet e klubit janë ngritur ndjeshëm për faktin e emrave që qarkullonin në merkato dhe mendohet se mos realizimi i goditjeve të paralajmëruara ka dhënë ndikimin e vet tek ky përkeqësim.

Më 24 tetor, aksionarët e Exor me 63.77%, pronar i të cilëve është Andrea Agnelli dhe aksionarët e tjerë do të takohen për të miratuar buxhetin e klubit. Për të rregulluar bilancin e tyre duhet të injektojnë 300 mln euro nga xhepat e tyre, në mënyrë që të balancojnë shpenzimet dhe fitimet që ka klubi.