Kur kanë mbetur edhe tre ditë deri në skadimin e mandatit të kryeprokurores Speciale, nuk dihet akoma fati i negociatave për ligjin e prokurorisë publike. Palët shprehen të gatshme të vazhdojnë negociatat por për momentin nuk është caktuar ndonjë takimi i radhës dhe as formati i tij. Këto paqartësi mbeten edhe në ditën e dytë pas dështimit të takimit të liderëve Zaev dhe Mickoski.

Mendimi im personal është që pas këtij takimi të dështuar të liderëve të kemi takim të grupeve të punës për t’u arritur përafërim qëndrimesh dhe nëse ka nevojë për një takim të radhës të liderëve të bëhen në momentin kur të mund të pritet vendim final prej tyre”-pohoi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

LSDM-ja, si parti që drejton negociatat e palës së pushtetit, nuk ka qëndrim mbi kërcënimin e opozitës shqiptare për të mos e votuar ligjin në rast se mbetet të çkyçur nga procesi i arritjes së çfarëdo marrëveshje.

Nuk kam informacione të tilla. Unë mendoj se të gjithë deputetët, pa dallim partiak dhe pa asnjë dallim tjetër, duhet t’i japim mundësi shtetit ligjor. Vetëm në këtë mënyrë do t’i vendosim vërtetë parimet demokratike dhe do të tregojmë para qytetarëve atë për të cilën ata vërtetë kanë nevojë”-tha Kostadin Kostadinov, LSDM.

BDI-ja, nga ana tjetër, vlerëson se kjo është një çështje që aktualisht shqetëson vetëm dy partitë LSDM dhe VMRO-DPMNE dhe se partia e tij do të kyçet në finalizimin e procesit.

Përderi sa kanë akoma dallime mes vete dy parti politike si LSDM dhe VMRO ne nuk mund të jemi pjesë e atij debate. Në momentin kur do t’i afrojnë qëndrimet, në aktin final, sigurisht që ne do të jemi pjesë e përmbylljes së tërë çështjes”-theksoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ndërkohë, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja gjatë ditës kanë vazhduar përplasjet për ligjin e Prokurorisë Publike, ndarjen e kompetencave të prokurorive pas miratimit të ligjit dhe shpërndarjen e lëndëve. Sipas VMRO-DPMNE-së, pushteti ka lëvizur nga qëndrimet që pas rastit “Reket” për të cilin madje thonë se posedojnë dëshmi të siguruara nga informatorë të cilat e përfshinë edhe pushtetin. LSDM-ja thotë se posedimi i dëshmive të tilla dhe materialeve të përgjuara është vepër joligjore dhe kërkojnë përgjegjësi./alsat/

Loading...