Prokurori Themelore Publike në Shkup solli vendim për zbatimin e procedurës hetuese kundër dy personave të dyshuar se dje kanë kryer grabitje në objektin e “Astra krediti”.

“Personat e moshës prej 23 dhe 22 viteve, sipas marrëveshjes paraprake, bashkë kanë hyrë në objektin e “Astra krediti”, në rrugën “Londonska” në Shkup, dhe duke kërcënuar një të punësuar kanë marrë mjete në të holla. Një nga të dyshuarit, duke e mbajtur pistoletën e markës “Pjetro Bereta” në dorë, ka kërkuar nga i dëmtuari që ta hapë arkën dhe t’i nxjerrë paratë. I dëmtuari ka vepruar sipas këtij urdhri, e ka hapur arkën dhe i ka dhënë 120.000 denarë. Pas kësaj, i dyshuari i dytë vetë është afruar afër arkës dhe e ka marrë pjesën tjetër prej 180.000 denarëve të cilat gjendeshin brenda. Dy të dyshuarit pastaj e kanë lëshuar vendin duke u larguar me motorin i cili ishte i parkuar në afërsi të objektit”, bëhet e ditur në kumtesën e Prokurorisë Publike.

Prokurori kompetent publik ka vlerësuar se janë përmbushur të gjitha bazat ligjore, dhe deri te gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup ka dorëzuar propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit.