Stereotipet për grat[ë ende janë të pranishme në mediume. Panel diskutimet janë gjithnjë e më të përfaqësuara nga mysafirë burra, përderisa grave eksperte në ndonjë sferë të caktuar ende u parashtrohen pyetje stereotipe të llojit si e balansoni punën dhe familjen, që nuk është rast me mysafirët burra. Gratë në mediume duhet të përfaqësohen në dritë pozitive, ndërsa fjalori urrejtës duhet të ndërpritet menjëherë. Vetëm mediumet sensitive gjinore do të mundësojnë edhe ndryshime pozitive në jetën politike dhe ndryshim të botëkuptimit mental.

Kjo u cek sot në Tryezën e rrumbullakët: “Si në mënyrë mediale mbulohen politikanët dhe si ta eliminojmë fjalorin urrejtës drejtuar grave në politikë”, në organizim të Institutit demokratik nacional, me rastin e Javës së të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

Kris Henshou, drejtor i Institutit nacional demokratik (IND), tha se gratë duhet të jenë më të dukshme në mediume, ndërkaq mediumet duhet të jenë më përgjegjëse që t’i potencojnë arritjet e grave.

“Kemi përgjegjësi t’u japim përparësi grave në mediume. Nëse gratë nuk përfaqësohen në dritë pozitive në mediume, atëherë gratë e reja në Maqedoni nuk do të inkurajohen të kyçen në politikë. Fjalori urrejtës në bazë gjinore duhet të ndërpritet menjëherë, ndërsa për atë ekzistojnë ligje që duhet të zbatohen”, tha Henshou.

Françeska Binda, kryetare e “Binda Konsalting”, tha se gazetarët janë mësuar që akoma grave politikane t’u parashtrojnë pyetje që asnjëherë nuk do t’ua parashtronin kolegëve të tyre burra.

“Sa herë ndonjë politikan buirrë është pyetur ‘si e balansoni jetën e punës në politikë me familjen’. Ndoshta duhet të fillojmë t’i pyesim burrat, sepse kur flasim për barazi gjinore, gjithashtu duhet të kemi parasysh edhe vende të punës që janë të mira për familjet, në mënyrë që baballarët të mund të shkojnë në pushime mjekësore kur e kanë fëmijën e sëmurë. Të jemi të sigurt kur flasim për barazi gjinore, të mendojmë edhe për shembujt që i ndërtojmë për burrat, si i mbulojmë burrat në krahasim me gratë”, tha Brinda.

Shtoi se në panel diskutim më shpesh janë të pranishëm mysafirë burra.

“Shumë shpesh ndonjë gazetar do të ketë panel të përbërë vetëm nga burrat. Edhe producentët do ju thonë, u lajmëruam në partinë dhe prej atje kërkuam të dërgojnë përfaqësues. Duhej t’i pranonim ata njerëz. Së pari partitë politike kur emërojnë përfaqësuese për ndonjë çështje, duhet të kenë kujdes në balansin gjinor, të mos dërgojnë gra të flasin vetëm për shëndetësi apo të pyesin vetëm burra për ekonomi”, tha Brinda.

Gjylymsere Kasapi, deputete e LSDM-së dhe Koalicionit, e cila është kryetare e Klubit të deputeteve, tha se fjalori urrejtës ndaj grave është gjithnjë e më i pranishëm.

“Çdo ditë secila grua është në shënjestër të rrjeteve sociale. Do të përjashtoj mediume të caktuara të cilat dëshirojnë të na afirmojnë, por ato janë shumë pak. Ne vendosëm të luftojmë shumë ashpër, të bashkuara, me një zë kundër fjalorit urrejtës ndaj grave në përgjithësi, ndaj gruas politikane”, tha Kasapi.

Kasapi, theksoi shembull personal kur ajo vetë është në shënjestër të fjalorit urrejtës.

“Unë si grua shqiptare iu bashkangjita një partie politike e cila ishte më tepër e përbërë nga maqedonasit, dhe kështu për mua ishte kritikë më e madhe si shqiptare të jem e pranuar si e tillë. por nuk mendova për atë sepse idetë e mija përparimtare, koncepti qytetar i shoqërisë më tërhoqi dhe më bëri të fuqishme. Ja, edhe dje u thanë shumë fjalë të këqija për mua në rrjetet sociale, se jam antishqiptare, se jam sllavomaqedonase, por kjo nuk më shqetëson. Unë di një gjë, se jam në rrugë të drejtë dhe se kjo është alternativa e vetme për ne”, tha ajo.

Theksoi se mediumet shqiptare në vend nuk e perceptojnë dhe nuk e ftojnë të jetë mysafire.

Klemens Koja, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, tha se pjesëmarrja e grave në politikë dhe vendim marrje është një nga treguesit kyç për barazinë gjinore në shoqëri.

“Në vitin 2002 maqedonia e veriut e vendosi kuotën 30 për qind e deputetëve të jenë gra, kjo më vonë u rrit në 40 për qind, në krahasim me vitin 1998, kur vetëm pesë për qind e deputetëve në vend ishin gra, tani ai numër është 40 për qind. Edhe pse për momentin nuk ekziston bazë ligjore që partitë politike t’i vendosin gratë në krye të listave të tyre të kandidatëve, nëse përmbushet kushti për kuotat”, tha Koja.

Konsideron se gratë përballen me pengesa të shumta lidhur me pjesëmarrjen e tyre në politikë dhe vendimmarrje dhe se megjithatë politika mbetet të jetë interes dominant për burrat.

Thotë se gratë politikane dhe funksionare pavarësisht përkatësisë së tyre politike janë cak i fjalorit urrejtës dhe shpesh dëgjojmë se si ato i ekspozohen fjalorit urrejtës nga disa anë, nga tradicionalet, mediumet sociale, nga kolegët e tyre, pro edhe nga opinioni tjetër. Ai këtu e përmendi shembullin me komentet mizogjene ndaj ministres së re të Financave, Nina Angellovska.

Përkujtoi se OSBE filloi fushatë për luftë kundër zërave dhe diskriminimeve, në bazë të gjinisë, duke u fokusuar para së gjithash në gratë nga rajonet rurale dhe gratë me pengesa.

“Vetëm mediumet sensitive gjinore do të mundësojnë edhe ndryshime pozitive në jetën politike dhe ndryshim të botëkuptimit mental. Edhe shumë duhet të bëhet që të arrihet qartësi dhe barazi gjinore në tërë jetën politike”, konkludoi shefi i Misionit të OSBE-së në vend.