Përkundër që e lavdëroi trajnerin Bernard Challandes për sukseset me Kombëtaren e Kosovës, ish-futbollisti Armend Dallku tha se po të kishte qenë ai trajner, do t’i kishte bërë disa ndryshime në formacionin e dy ndeshjeve të shtatorit.

Sonte i ftuar në emisionin sportiv “Favorit” në T7 është Armend Dallku, i cili do të flasë për rezultatet e Kosovës në dy ndeshjet e zhvilluara në muajin shtator – kundër Çekisë dhe Anglisë – si dhe gjasat e “Dardanëve” për ta siguruar kualifikimin në EURO 2020, raporton Gazeta Express.

Trajneri Bernard Challandes u detyrua ta zgjedhë formacionin e parë të Kosovës për dy ndeshjet kualifikuese për EURO 2020 gjatë muajit shtator pa llogaritur në ndihmën e pesë ndër futbollistëve më të rëndësishëm – Arbër Zeneli, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Benjamin Kololli.

Dallku fillimisht tha se trajneri Challandes arriti t’i mbulojë këto mungesa, pasi që i mori tri pikë nga ndeshja kundër Çekisë, mirëpo, përkundër rezultatit të mirë, ai e vvërejti një gabim të trajnerit të “Dardanëve”.

“Unë edhe në ndeshjen kundër Çekisë, nëse do të isha pyetur unë, do t’i bëja disa ndryshime në fillim të pjesës së dytë sepse edhe Rashkaj e edhe Berisha duhej të ishin edhe në ndeshjen kundër Çekisë qysh më herët në lojë”, tha Dallku.

“Por, trajneri vendosi që në ndeshjen kundër Anglisë t’i bëjë dy zëvendësime te lojtarët e krahut, domethënë në vend të Rashanit dhe Zhegrovës luajtën Muslija dhe Berisha”.

“Për ndeshjen kundër Anglisë duhej të bëheshin korrigjime në krahë sepse Sterling dhe Sancho shënuan ashtu. Nëse do të isha pyetur unë, do ta kisha vendosur Hadërgjonajn në krah me Vojvodën dhe Paqardën me Berishën, në mënyrë që të mos kemi probleme”.

Kosova siguroi fitore 2:1 në “Fadil Vokrri” kundër Çekisë, ndërsa tre ditë më vonë pësoi disfatën e parë pas 15 ndeshjeve, kur humbi me rezultat 5:3 në Southampton kundër Anglisë.

Loading...