Armend Dallku beson se për kualifikimin eventual të Kosovës në Kampionatin Evropian 2020 do të gëzohej çdo shiqptar e jo vetëm kosovarët, përkundër që kohët e fundit beson se ky debat është politizuar.

Sonte i ftuar në emisionin sportiv “Favorit” në T7 është Armend Dallku, i cili do të flasë për rezultatet e Kosovës në dy ndeshjet e zhvilluara në muajin shtator – kundër Çekisë dhe Anglisë – si dhe gjasat e “Dardanëve” për ta siguruar kualifikimin në EURO 2020, raporton Gazeta Express.

Pasi që Kombëtarja e Kosovës ka shfaqur formë të mirë që prej emërimit të Bernard Challandes në pozitën e trajnerit – duke qenë e pamposhtur në plot 15 ndeshje radhazi, para disfatës së fundit kundër Anglisë – disa tifozëtë saj i kanë krahasuar “Dardanët” me kuqezinjtë.

Gjatë kohës sa trajner i Kombëtares së Shqipërisë ishte Christian Panucci, pas largimit të Gianni de Biasit, kuqezinjtë u futën në një lloj krize, duke shfaqur paraqitje të dobëta. Ndeshja e fundit, nën drejtimin e Edy Rejës, ishte shenjë se Shqipëria mund të jetë duke iu kthyer formës së mirë, pasi që siguroi fitore 4:2 kundër Islandës.

Dallku beson se debatet mes tifozëve të dy Kombëtareve duhet të ndalen dhe të mos përzihet politika me futboll.

“Shpresoj të kualifikohemi [në EURO 2020] sepse kjo është ëndrra e çdo shqiptari e jo vetëm kosovari, duhet ta potencojmë këtë fakt sepse kohët e fundit po i kemi disa mospajtime mes vete”, tha Dallku.

“Unë e di saktësisht, sepse kam shumë miq nga Shqipëria dhe viset e tjera, se ata e duan shumë futbollin. Mirëpo, ndonjëherë po politizohet dhe po merr kahje tjetër kjo puna e Kosovës”.

Loading...