Sergio Busquets i pranon se ai do të duhet të luftojë për ta mbajtur vendin e tij në mesfushën e Barcelonës, pasi skuadra katalonase iu kthye fitoreve të martën, në ndeshjen kundër Villarrealit në kuadër të La Ligës.

Golat e shënuara nga Antoine Griezmann dhe Arthuri në pjesën e parë të ndeshjes ia siguruan Barcelonës një fitore me rezultat 2:1 kundër Villarrealit, duke e ulur presionin mbi trajnerin Ernesto Valverde,

Barcelona u ngrit në pozitën e katërt në tabelën e La Ligës me këtë fitore të fundit, vetëm një pikë më pak sesa liderja aktuale e ligës spanjolle, Granada.

Valverde e ftoi sërish spanjollin me përvojë, Busquets, për ndeshjen në “Camp Nou”, pasi e la atë jashtë skuadrës për disfatën me rezultat 2:0 kundër Granadas në fundjavën e kaluar.

31-vjeçari gjithashtu shikoi nga stoli kur Barcelona e humbi ndeshjen hapëse të sezonit të ri të La Ligës, kundër Athletic Bilbaos, dhe ai është i vetëdijshëm se nuk e ka më vendin e garantuar në formacionin e parë.

“Jam mirë. Ka shumë konkurrencë në mesfushë dhe ka lojtarë të cilët janë ende jashtë. Gara është e mira sepse na detyron ta ngremë nivelin tonë. Unë do të punoj shumë për ta fituar një vend”, tha Busquets për Diario Sport.

Barcelona arriti t’u kthehet fitoreve në ndeshjen e mbrëmshme, duke siguruar rezultat 2;1 kundër Villarrealit, falë golave të shënuar nga Antoine Griezmann dhe Arthur Melo e përkundër golit të Santi Cazorla.