Federata e Futbollit e Spanjës e ka gjobitur Barcelonën me 300 euro për transferimin e Antoine Griezmann nga Atletico Madridi.

Atletico Madridi u ankua në federatë kundër klubit katalonas, duke e akuzuar se kishte negociuar me sulmuesin francez gjatë sezonit të kaluar në një kohë kur ai ende kishte kontratë me klubin madrilen,

Komiteti i Garave e ka hedhur poshtë kërkesën e gjykatësit për ta dënuar Barcelonën me mbyllje të stadiumit për tifozë, për shkak të bisedimeve me Griezmannin në muajin mars, transmeton Gazeta Express.

Gjykatësi kishte vlerësuar se gjoba prej 300 eurove ishte e pamjaftueshme për një klub me potencial ekonomik si Barcelona.

Megjithatë, kërkesa e tij është refuzuar dhe Barça shpëton me një gjobë tejet të ulët.

Barcelona e bleu Griezmannin këtë verë duke e paguar klauzolën e lirimit të tij në vlerë 120 milionë euro, menjëherë pasi klauzola e tij zbriti nga 200 milionë euro në korrik.

Atletico, megjithatë, u ankua se drejtuesit e gjigantit katalonas kishin biseduar me lojtarin qysh në muajin mars, në një kohë kur klauzola e tij me klubin ishte në vlerë 200 milionë euro.