Biznesmeni Zoran Azmanov sot ishte në Prokurorinë Publike, ku dëshmoi në lidhje me rastin “Reket”, me çka theksoi se në prokurori ishte që ta përmbushë rrëfimin.

Biznesmeni theksoi se Bojan Jovanovski, një nga të dyshuarit në “Reket” e ka kërcënuar se do të publikojë dokumente të PSP-së dhe nga Policia financiare. Kërcënimet ia ka bërë përmes bisedës telefonike edhe atë në periudhën kur paralajmërohej emisioni “Makedonski insajder” në 1 TV, pronar jozyrtar i të cilit ishte Boki 13.

Sipas Azmanovit “Reket” është rast fatkeq, në të cilin Bojan Jovanovski e ka shfrytëzuar famën e mediumit që të zhvatë para.

“Paralajmërimi i atij emisioni ishte i turpshëm, pa të dhënë të drejtë që të thuash asnjë fjalë në mbrojtje. Në një bisedë telefonike e pyeta se prej ku e ke ti të drejtën që të bësh një emision të tillë dhe prej ku ke të dhëna se unë jam mafia e ndërtimit, ndërsa nuk kam asnjë biznes me shtetin, ai më tha të mos brengosem sepse kishte informacione nga Policia financiare dhe nga PSP-ja, i kishte të gjitha dokumentet dhe nuk kishte nevojë që të hetojë asgjë”, theksoi Azmanov pas rrëfimit të tij në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Paraprakisht sot për rastin “Reket” rrëfim dha kryetarja e Kuvendit të Aleancës Ndërkombëtare Agapi Dika.

Periudhën e kaluar në lidhje me këtë rast në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dëshmuan biznesmeni Siljan Micevski, udhëheqësja televizive Lila Filipovska dhe deputetët Frosina Remenski dhe Aleksandër Kiracosvski.

Në rastin “Reket” të cilin e hapi Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion përveç Bojan Jovanovskit, të dyshuar janë edhe Zoran Milevski-Kiçeec, si dhe ish prokurorja speciale publike Katica Janeva. Që të tre janë në paraburgim.