Trajnerët, kapitenët dhe tifozët unanimisht u pajtuan që Lionel Messi të shpërblehet më çmimin e FIFA-s për lojtarin më të mirë të vitit në botë, mirëpo vetëm gazetarët nuk votuan në favor të argjentinasit. Preferenca e gazetarëve mund t’i kushtojë yllit të Barcelonës me Topin e Artë këtë vit.

Nga kapitenët që votuan për çmimet e FIFA-s, që u ndanë mbrëmë në Milan, Lionel Messi i morri 377 vota, para Virgil Van Dijkut me 337 vota dhe Cristiano Ronaldos me 330 të tilla.

Nga votimet e trajnerëve, Messi i mori 379 vota, duke e mposhtur Ronaldon (307) dhe Van Dijkun (289).

Ylli argjentinas i Barcelonës dominoi më së shumti në votat e publikut, duke qenë i zgjedhuri i 1,359,728 njerëzve, në krahasim me 962,919 votat e Ronaldos dhe 704,235 votat e Van Dijkut.

Megjithatë, gazetarët e preferuan Van Dijkun dhe kjo mund të jetë shenjë se Messi mund të mos e fitojë Topin e Artë as këtë vit, pasi që për Topin e Artë vlejnë vetëm votat e gazetarëve.

Tre fituesit e kaluar në çmimit The Best – dy herë Cristiano Ronaldo dhe Luka Modrici vitin e kaluar – e kanë fituar edhe Topin e Artë, mirëpo çmimi i France Football votohet nga gazetarët, të cilët e kanë preferuar Van Dijkut para Messit edhe në çmimet e UEFA e edhe në ato të FIFA-s.

Për çmimin e FIFA-s, Van Dijku i fitoi 462 vota nga gazetarët, në krahasim me 364 të Messit dhe 264 të Ronaldos.