Sot 56 amerikanë arritën në Maqedoninë e Veriut ku do të shërbejnë si vullnetarë të Korpusit të Paqes sot Ata do ta ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre duke shërbyer si vullnetarë nëpër shkolla dhe organizata nëpër Maqedoninë e Veriut.

Vullnetarët në aeroport u mirëpritën nga drejtori i Korpusit të Paqes në vend, Mark Hannafin së bashku me të punësuarit në këtë organizatë.

“Ky është grupi më i madh i vullnetarëve në historinë e Korpusit të Paqes në Maqedoninë e Veriut. Çdo vit, numri i vullnetarëve vazhdon të rritet. Kjo pasqyron interesin e madh të amerikanëve për të shërbyer në këtë vend,” tha Mark Hannafin, drejtor i Korpusit të Paqes për Maqedoninë e Veriut. “Prania e tyre në Maqedoninë e Veriut është shumë e rëndësishme. Këmbimi i përvojës dhe njohurive është i rëndësishëm për të gjitha palët e përfshira”.

Gjatë qëndrimit të tyre në Maqedoninë e Veriut, ata do të punojnë si arsimtarë dhe profesorë të gjuhës angleze, si edukatorë specialë me persona me nevoja të veçanta, në fushën e zhvillimit të bashkësive në partneritet me shkollat fillore dhe të mesme, me institucionet qeveritare, me komunat dhe organizatat joqeveritare.

Korpusi i Paqes është organizatë qeveritare amerikane dhe programet e saj i realizon në partneritet me Ministrinë për Arsim dhe Shkencë, Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale dhe me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale.

Ky është grupi i 24-t me radhë i vullnetarëve që do të jetojnë dhe punojnë në Maqedoninë e Veriut. Në tre muajt e parë, vullnetarët do të kalojnë nëpër një trajnim përgatitor ku do të përfshihet mësimi i kulturës dhe gjuhës maqedonase dhe shqipe, kurse me punë do të fillojnë në fillim të dhjetorit. Që nga viti 1996 në Maqedoninë e Veriut si vullnetarë kanë shërbyer mbi 800 shtetas amerikanë.

Loading...