Carlo Ancelotti pranoi se James Rodriguez dhe Mauro Icardi ishin dy objektiva të merkatos verore të Napolit, teksa në një intervistë për mediat napolitane tregoi edhe arsyet pse dështuan këto dy negociata paralele.

“Po kërkonim disa sulmues dhe njëri prej tyre ishte edhe Icardi. Natyrisht që ishim të gatshëm ta transferonim në Napoli, por që një marrëveshje të mbyllet me sukses, duhet që të gjithë palët të jenë dakord. Sa i përket James, hasëm në rezistencën e fortë të Realit të Madridit, që fillimisht kërkoi shumë dhe më pas e hoqi nga lista e lojtarëve të shitshëm”, tregoi Ancelotti.

Kujtojmë që Napoli, pasi dështoi në objektivat primarë, arriti të marrë meksikanin Lozano dhe sulmuesin spanjoll Fernando Llorente, për të kompletuar organikën, ndërsa që të dy këta, kanë bindur plotësisht në provat e para zyrtare.